E Martë, 3 Nëntor 2026

GJERMANI – Të gjelbrit i kërkojnë Merzit një nismë evropiane për paqen në LM

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA – Partia e të Gjelbërve në Gjermani i ka bërë thirrje kancelarit Friedrich Merz që të ndërmarrë një nismë evropiane për të nisur një proces politik drejt një zgjidhjeje paqësore në Rripin e Gazës, në sfondin e një krize urie që po afron në këtë territor të goditur rëndë.

“Duke pasur parasysh situatën dramatike dhe të papranueshme humanitare në Gaza, qeveria gjermane duhet më në fund të kalojë nga komente në veprim”,  tha bashkëkryetarja e partisë, Franziska Brantner.

“Një armëpushim, dorëzimi i ndihmave humanitare dhe lirimi i të gjitha pengjeve mund të jenë vetëm hapi i parë. Mbi të gjitha, nevojitet urgjentisht një nismë evropiane për një proces politik, pasi kjo nuk mund t’i lihet vetëm në dorë Trumpit”,  tha ajo, duke iu referuar presidentit amerikan.

”Ky proces duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, si dhe mbijetesën e palestinezëve me dinjitet dhe vetëvendosje në një shtet të tyre”, theksoi Brantner.

Sipas saj, kjo mund të arrihet në mënyrë realiste vetëm përmes Autoritetit Palestinez me qendër në Bregun Perëndimor.

“Dorëzimi i domosdoshëm i Hamasit do të përshpejtonte ndjeshëm njohjen e Palestinës”, shtoi ajo.

Brantner theksoi se Izraeli duhet të përballet me presion serioz, duke përfshirë “ndalimin e eksporteve të armëve për përdorim në Gaza, pezullimin e lehtësimeve tregtare dhe sanksione ndaj ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir”.

Të dy politikanët e ekstremit të djathtë mbështesin, ndër të tjera, aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.

Sipas Brantner, Merz duhet të udhëheqë një nismë të tillë së bashku me Bashkimin Evropian, Francën dhe Britaninë e Madhe. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›