TURQI -Përfundojnë bisedimet ruso-ukrainase në Stamboll

MOSKË, 23 korrik/ATSH-DPA/ – Negociatorët nga Moska dhe Kievi u takuan sot për bisedime në Turqi, në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, takimi në Pallatin Çıragan në Stamboll përfundoi pas më pak se një ore. Fillimisht nuk pati informacione për rezultate konkrete.
Pritshmëritë ishin të ulëta. Të dyja palët ndërluftuese kishin deklaruar më herët se një përparim drejt një zgjidhjeje paqësore ishte i pamundur, pasi qëndrimet e tyre ishin shumë të largëta.
Lufta e nisur nga Rusia ka zgjatur tashmë më shumë se tre vjet.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte njoftuar takimin më herët këtë javë, por i kishte zbutur pritshmëritë. Ai tha se prioritet i Kievit ishte zgjerimi i shkëmbimeve të të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia nga territoret e pushtuara.
Moska dhe Kievi rifilluan bisedimet direkte në maj për herë të parë që nga viti 2022. /Ad.Ab./