Tabaku: Banka Kombëtare e Zhvillimit, pa asnjë kontroll real

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi ngritjen e Bankës Kombëtare të Zhvillimit, si një institucion që rrezikon të kthehet në një lavatriçe financiare, një instrument i rrezikshëm pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë e qytetarëve.
Sipas Tabakut, problemi nuk është ideja e bankës, por arkitektura e saj e qëllimshme për të vjedhur në hije.
Deputetja renditi disa nga shqetësime kryesore sipas saj.
“Sipas ligjit të miratuar, kjo bankë funksionon si një “ishull financiar” ku qeveria bën çfarë të dojë: nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë; nuk i nënshtrohet kontrollit teknik të KLSH-së për kreditë që jep dhee më e rrezikshmja do të mbledhë kursimet tuaja në postë për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë”, theksoi Tabaku.
Tabaku nënvizoi, se ndryshe nga Shqipëria, bankat e zhvillimit në vendet europiane janë tërësisht të kontrolluara.
“Në Gjermani, KfW kontrollohet deri në qindarkën e fundit nga Banka Qendrore dhe Parlamenti. Në Itali, çdo investim i Cassa Depositi e Prestiti kalon në sitën e institucioneve të pavarura. Në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa një palë të tretë që i vendos frenat. Por këtu, frenat i ka hequr qeveria që t’i japë gaz korrupsionit”, tha Tabaku.
Tabaku shtoi se Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër “gropë financiare” që i shërben një pakice klienteliste.
Sipas saj “ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon PPP-të dhe dështimet e radhës me kursimet e prindërve tanë”. /m.q/j.p/