Tabaku: Biznesi i papërgatitur për integrimin në BE, qeveria negocioi pa transparencë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, tha sot se qeveria ka zhvilluar për pesë vite negociatat për integrimin europian pa transparencë dhe pa përfshirjen e biznesit, duke e lënë sipërmarrjen të papërgatitur për detyrimet që sjell procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se vetëm tani qeveria po informon bizneset për kostot dhe detyrimet që do të kenë në tregun europian, pasi, sipas saj, negociatat janë zhvilluar pa konsultim real me sektorin privat.
“Prej pesë vitesh, qeveria i ka mbajtur negociatat për integrimin europian të mbyllura në zyrat e Kryeministrisë, përfshirë edhe çështjet që prekin drejtpërdrejt biznesin shqiptar. Sot, pasi ka negociuar pa transparencë dhe pa konsultim real me sipërmarrjen, vendos t’u tregojë bizneseve me copa detyrimet dhe kostot me të cilat do të përballen në tregun europian”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se integrimi europian është një proces pozitiv, por kërkon përgatitje serioze, e cila, sipas saj, ka munguar. Tabaku nënvizoi më tej se biznesi shqiptar operon nën presionin e korrupsionit, monopoleve, ligjeve me porosi dhe konkurrencës së pandershme, duke bërë që rreth 85% e bizneseve të konsiderohen të papërgatitura për integrimin europian.
“Shqipëria nuk ka bërë transformimin strukturor që bënë vendet e Europës Lindore gjatë integrimit. Ka prodhuar më shumë ndërtime se industri, më shumë konsum se prodhim dhe më shumë përfitime për klientët e pushtetit se mundësi për sipërmarrësit”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut, programi i qeverisë për të trajnuar mbi 48 mijë biznese duke filluar nga muaji tetor është i pamjaftueshëm
“Premton se, duke nisur nga tetori, do të trajnojë mbi 48 mijë biznese. Pra, pasi negocioi pesë vite pa biznesin, tani pretendon se do ta përgatisë për tre muaj. Ndërkohë, e vetmja fushë ku Shqipëria është afruar me Europën janë çmimet.
“Me paga të ulëta, ushqime të shtrenjta dhe banesa të papërballueshme, familjet shqiptare po paguajnë koston e një ekonomie të deformuar. Një familjeje në Tiranë mund t’i duhen rreth 22 vite të ardhura për të blerë një apartament”, theksoi Tabaku.
Tabaku e cilëson situatën pasojë të një sistemi ekonomik të deformuar dhe shprehet se ky sistem duhet të ndryshohet së bashku me qeverinë që e ka ndërtuar.
/m.q/j.p/