Tabaku: Mirënjohëse demokratëve, fatkeqësisht nuk arritëm të sillnim rotacionin

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të 11 majit në Tiranë, ku ajo fitoi edhe një mandat tjetër si deputete e PD-së në Parlament.
Tabaku i shprehu mirënjohjen çdo demokrati që e besoi dhe mbështeti atë në këto zgjedhje.
Tabaku njëkohësisht shprehu keqardhjen që PD nuk arriti të sjellë rotacionin politik, të cilin ajo e konsideroi si “të nevojshëm për Shqipërinë”.
“U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike! Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë”, u shpreh Tabaku. /j.p/