E Martë, 3 Nëntor 2026

Presidenca: Mosveprimi i drejtësisë po inkurajon kërcënimet ndaj Osmanit

PRISHTINË, 19 maj/ATSH/ Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është kërcënuar me jetë.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

Në fotografinë e mëposhtme mund të shihni mesazhin e dërguar në drejtim të adresës elektronike të presidencës.

“Kërcënimi është dërgua në emailin zyrtar të Presidencës”, ka thënë Kupina.

Kupina tha se kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. “Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë”, tha ai.

Sipas tij, përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme.

“Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”, tha ai.

Kupina tha se rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.

“Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, tha ai. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›