E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i 17-të i Nënkomitetit BE–Shqipëri, fokusi te inovacioni, digjitalizimi, arsimi dhe punësimi

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u zhvillua sot (25 shkurt) takimi i 17-të i Nënkomitetit BE–Shqipëri për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit, Arsimin, Kulturën, Politikat Sociale dhe Punësimin, në kuadër të dialogut ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian.

Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Enkelejda Muçaj, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Hubert Duhot, Bashkë-kryetar i DG ENEST.

Gjatë sesioneve tematike, palët diskutuan mbi progresin e arritur dhe hapat e mëtejshëm në fushat e:

• shkencës, kërkimit dhe inovacionit, përfshirë pjesëmarrjen në programet e BE-së dhe forcimin e ekosistemit të inovacionit;

• transformimit digjital, medias dhe përafrimit me acquis të BE-së në sektorin e komunikimeve elektronike, mefias dhe sigurisë kibernetike;

• arsimit, kulturës dhe zhvillimit të aftësive;

• politikave sociale, punësimit dhe barazisë, me fokus në përafrimin legjislativ dhe zbatimin e reformave sociale;

• lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për zbatimin e acquis përkatës.

Diskutimet u përqendruan veçanërisht në përmbushjen e “closing benchmarks” (kriteret mbyllëse), avancimin e reformave të planifikuara dhe koordinimin ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare prezantuan progresin e arritur deri më tani, ndërsa palët shkëmbyen opinione dhe rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Takimi u zhvillua në format fizik dhe online, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve nga komisioni evropian, delegacioni evropian dhe të ambasadorëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›