Takimi i dytë për Kodin e Ri Penal, vëmendje edhe për bigaminë e krimet kibernetike

Në Durrës është zhvilluar takimi i radhës për diskutimet rreth Kodit të Ri Penal.
Në këtë hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe konsultimeve, të pranishëm ishin magjistratë të gjykatave dhe prokurorive me seli në Durrës dhe Fier, si edhe përfaqësues të profesioneve të lira ligjore, si avokatë, noterë dhe përmbarues gjyqësorë.
Gjyqtari Ervin Sulaj tha se në këtë kod duket të merret parasysh vështirësia që ndesh hetimi i krimeve në fushën kibernetike, ku si fillim kërkohet të plotësohen kushtet që kërkohet për shkak të anëtarësimit dhe më pas të ecet më tej.
“Dispozitat, sidomos në fushën e krimeve kibernetike, do të jetë e vështirë të zbatohen. Do të mendoja që një qasje më e drejtë do të ishte të arrinim të plotësonim kërkesat e momentit dhe pritshmërive në kuadër të integrimit, por më pas, duke marrë edhe përvojat më të mira të vendeve të tjera, të vijojmë me futjen e dispozitave të reja, të cilat kemi kapacitetin t’i zbatojmë,” u shpreh z. Sulaj.
Një tjetër çështje që u diskutua ishte edhe bigamia, e cila edhe në Kodin e Ri cilësohet vepër penale. Drejtuesi i grupit të punës, Arben Rakipi, tha se për këtë çështje, e cila shpesh ndikohet nga koncepte fetare, nuk duhet të ketë dyshime dhe të trajtohet me vendosmëri si një e drejtë që respekton barazinë e së drejtës midis burrit dhe gruas.
“Ligji duhet të synojë që kjo barazi të jetë efektive. Të mos lejojë që gratë të përdoren si objekte seksi apo si makina riprodhimi, dhe të mos jetë e shtyrë për shkak të zakoneve të mbrapshta… të ndajë krevatin, ëndrrat, fëmijët apo jetën me këdo tjetër,” tha z. Rakipi.
Takimi në Durrës është i dyti që mbahet për konsultimet rreth Kodit të Ri me grupet e interesit, ndërkohë që takime të ngjashme janë planifikuar edhe në qytete të tjera të vendit.
/rtsh.al/