E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i thirrur nga Britania e Madhe për Ngushticën e Hormuzit/ Hoxha: Përpjekje të koordinuara mes aleatësh për rihapjen e kësaj rruge detare kritike

Mbretëria e Bashkuar ka organizuar një takim me përfaqësues nga vendet aleate për të diskutuar mbi Ngushticën e Hormuzit.

Takimi synon koordinimin e qëndrimeve dhe garantimin e sigurisë detare në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, i cili mori pjesë në këtë takim përmes një postimi në “X” shprehet se, “diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik”.

Postimi në “X” i ministrit Hoxha:

Sot mora pjesë në takimin virtual të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, që bëri bashkë homologë nga mbi 40 vende për të adresuar nevojën urgjente për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas mbylljes së saj nga Irani në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm.

Diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.

Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet.

Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive.

Shtetet pjesëmarrëse në takim:

Shqipëria, Australia, Bahreini, Bullgaria, Kanadaja, Kili, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kosova, Letonia, Lituania, Ishujt Marshall, Moldavia, Mali i Zi, Zelanda e Re, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Panamaja, Portugalia, Koreja e Jugut, Rumania, Sllovenia, Suedia, Holanda, Trinidad dhe Tobago dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›