PD letër ambasadorëve për nismën e Gjykatës së Lartë: Monitoroni procesin, interpretimi i ri çon në ndryshimin e statusit të zyrtarëve të arrestuar

Partia Demokratike u ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve kryesore partnere dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për një nismë të fundit të Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në letrën e firmosur nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, theksohet se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara më 9 prill për të shqyrtuar këtë çështje konsiderohet një iniciativë personale e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, pa një bazë të qartë ligjore.
Sipas PD-së, kjo nismë vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit, ndërsa një sërë zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë nën hetim apo masa sigurie për akuza të rënda.
Demokratët shprehin shqetësim edhe për deklaratat e fundit të përfaqësuesve të qeverisë, përfshirë Kryeministrin, të cilët kanë kritikuar përdorimin e paraburgimit. Sipas tyre, këto qëndrime mund të krijojnë perceptimin e presionit ndaj institucioneve të drejtësisë.
PD nënvizon se lufta kundër korrupsionit dhe ndëshkimi i zyrtarëve të lartë janë thelbësore për integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa çdo zhvillim që dobëson këtë proces mund të dëmtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në përfundim, Partia Demokratike u bën thirrje ambasadorëve që të monitorojnë nga afër vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë, të inkurajojnë transparencën dhe të mbështesin garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe të paanshëm.
Letra e plotë:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Kërkesë për vëmendje dhe monitorim të vendimit të ardhshëm të Gjykatës së Lartë
Drejtuar:
Znj. Nancy VanHorn, E Ngarkuar me Punë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri
Z. Silvio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të BE-së në Shqipëri
Znj. Giulia Re, Drejtuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri
Z. Michel Tarran, Drejtues i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Z. Karl Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri
Z. Nicholas Abbott, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri
Znj. Catherine Suard, Ambasadore e Republikës së Francës në Shqipëri
Z. Marco Alberti, Ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri
Shkëlqesitë Tuaja,
Përmes kësaj letre, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, konkretisht me thirrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 9 prill, për të shqyrtuar çështje që lidhen me masën e sigurisë “arrest me burg” (paraburgim). Kjo paraqitet si një nismë personale e kryetarit Sokol Sadushi, pa një justifikim ligjor mbi bazën e saj.
Kjo nismë vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend, ku një numër zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë aktualisht nën hetim ose subjekt i masave të sigurisë për akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Aktualisht, i vetmi zyrtar i lartë në detyrë që ndodhet në burg është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, ky vendim mund të ndikojë edhe disa figura të njohura të krimit të organizuar që aktualisht janë të burgosura.
Në të njëjtën kohë, deklaratat e fundit publike nga përfaqësues të lartë të ekzekutivit, përfshirë Kryeministrin, kanë shprehur kritika ndaj përdorimit të “arrestit me burg” dhe praktikës më të gjerë të paraburgimit. Këto deklarata kanë shtuar shqetësimet mbi perceptimin e mundshëm të ndikimit ose presionit ndaj institucioneve të drejtësisë në një moment kaq të ndjeshëm.
Ekziston një shqetësim i arsyeshëm publik se një interpretim i ri ose më liberal i kësaj mase sigurie mund të çojë në ndryshime në statusin e personave të ndaluar, përfshirë figura të profilit të lartë politik dhe të krimit të organizuar. Një zhvillim i tillë mund të ndikojë ndjeshëm besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit dhe seriozitetin e përpjekjeve për luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta.
Lufta kundër korrupsionit dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve të lartë janë shtylla thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çdo përpjekje që cenon këtë luftë, punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), apo ndjekjen penale dhe ndëshkimin e figurave të larta politike, rrezikon gjithashtu të dëmtojë rrugën evropiane të vendit.
Në këtë kontekst, ju bëjmë thirrje që:
Të monitoroni nga afër procesin dhe vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
Të inkurajoni transparencën dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të shtetit të së drejtës;
Të mbështesni institucionet shqiptare në garantimin e një sistemi drejtësie të paanshëm, të pavarur dhe të qëndrueshëm.
Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është një element kyç për stabilitetin demokratik dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo vendim me ndikim të gjerë duhet të mbështetet në parime të forta ligjore dhe të jetë i mbrojtur nga çdo perceptim ndikimi politik.
Ju falënderojmë për vëmendjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Me respekt,
Gazment Bardhi
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
/rtsh.al/