E Diel, 1 Nëntor 2026

Targa dhe siguracion, jo nën 16 vjeç, shpejtësi deri… / Modeli që po diskutohet për monopatinat

Ministrja Albana Koçiu mblodhi ditën e djeshme në një takim institucionet kryesore që kanë rol kyç në sigurinë rrugore.

Në fokus të diskutimeve me përfaqësues të Policisë, bashkisë, DPSHTRR-së dhe ARRSH-së ishte kuadri i ri ligjor që po përgatitet për qarkullimin e këtyre mjeteve.

Ndryshimet pritet të bëhen në Kodin Rrugor dhe aktualisht janë në fazë fillestare ndërsa fokusi do të jetë në 4 elementë kryesorë.

Së pari, shpejtësia maksimale që do të kenë monopatinat. Në diskutim është 25 km/h.

Së dyti, mosha minimale e përdoruesve, që edhe këtu në diskutim është 16 vjeç e sipër.

Së treti, vendosja ose jo e regjistrimit të këtyre mjeteve, për targim të mundshëm ose një numri unik për ta identifikuar.

Së katërti, mundësia e sigurimit të detyrueshëm, për të mbajtur përgjegjësi njëlloj si për mjetet e tjera në rrugë.

Monopatinat pritet të mos lejohen të qarkullojnë jashtë zonave të banuara, si autostrada apo superstrada. Po ashtu, ndalimi pritet të jetë edhe në trotuare, apo nëpër zona pedonale.

Mosrespektimi i rregullave të reja pritet të shoqërohet me ndëshkime, nga gjobë deri në sekuestrim të mjetit.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 janë regjistruar mbi 500 aksidente me monopatina elektrike, ndërsa deri në qershor tëkëtij viti numri ka arritur në 900, duke shënuar një trend shqetësues në rritje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›