Task-forcë për sezonin turistik në Shkodër, Rrustemi: Asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cenohet

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Në Bashkinë Shkodër është ngritur një task-forcë ndërinstitucionale mes disa drejtorive, me fokus mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Sipas bashkisë Shkodër, “janë marrë masa për menaxhimin e hapësirave publike, hapësirave të gjelbra, zonës pedonale dhe për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për çdo pushues që zgjedh Velipojën për pushimet verore”.
Drejtori i Policisë Bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi tha se gjatë këtyre ditëve gjatë inspektimit të zonave të plazhit janë konstatuar disa raste abuzimi me kontratat të subjekteve të ndryshme, si edhe uzurpim i hapësirave publike të dedikuara për plazhet publike.
“Sot me Policinë e Shtetit vendosëm që të lirojmë të gjithë vijën bregdetare në Velipojë, nga çdo çadër, shezlong apo objekt provizor, i cili është vendosur pa lejen përkatëse”, tha Rrustemi në nisje të aksionit të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policinë e Shtetit.
Drejtuesi i Policisë Bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi pohoi faktin se “asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cenohet nga operatorët privatë”.
Velipoja është një ndër destinacionet më të frekuentuara të veriut të Shqipërisë gjatë sezonit veror. Tashmë me përfundimin e rrugës Shëngjin-Velipojë pritet që interesi i turistëve për këtë zonë të rritet akoma më shumë.
/e.i/a.f/