Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, maturantët flasin pas përfundimit të testit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin zhvilluan sot provimin e Maturës Shtetërore për gjuhën shqipe dhe letërsinë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli në rrjetet sociale mesazhet e disa prej maturantëve në gjimnazin “Qemal Stafa” në kryeqytet, ku pas përfundimit të provimit folën për emocionet, nivelin e vështirësisë së testit, administrimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit.
“Zëri i maturantëve pasi kanë përfunduar provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, që vetë ata e konsiderojnë ndër më të vështirët. Maturantët thonë se testet përgatitore kanë qenë një ndihmë reale për të kuptuar strukturën dhe kërkesat e provimit dhe gjithashtu vlerësuan se procesi u zhvillua në kushte të rregullta dhe sipas standardeve të testimit”, shkruan Manastirliu.
Gentiana Dragoti tha se “sapo mbarova provimin e dytë të gjuhës dhe letërsisë, ishte një test që tregonte të gjithë aftësitë e 12 viteve shkollë, por edhe gjithë punën e tre viteve të fundit”.
Një tjetër nxënës u shpreh se “çdo gjë shkoi shumë mirë tani të shikojmë si do dalim”.
“Kishim pak ankth se cila vepër do të binte, por të gjitha konceptet ishin ato që kemi punuar gjatë gjithë vitit me mësueset dhe shpresoj se do të kemi dalë mirë”, tha një nxënëse.
Një tjetër nxënëse theksoi se “tek pjesa e gjuhës nuk patëm vështirësi se testi ishte edhe motivues, tema e esesë ishte mjaft interesante dhe besoj se ia kemi dalë”.
“Niveli i vështirësisë nuk ishte shumë i lartë, ishte mesatar. Kishim emocione, pasi personalisht e konsideroj si provimin më të vështirë, por shpresoj se kam dalë mirë”, tha një tjetër nxënëse.
Pas provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, maturantët do të zhvillojnë lëndën e matematikës më 17 qershor dhe provimin me zgjedhje më 24 qershor.
/k.s/a.f/