“Taste of Albania”, Rama: Trashëgimi dhe cilësi shqiptare e certifikuar me standardet europiane

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ “Taste of Albania” nuk janë thjesht çokollata, por një kombinim i trashëgimisë, cilësisë dhe shijeve autentike shqiptare, të mbështetura nga skemat evropiane të certifikimit të produkteve tradicionale.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se një sërë produktesh tradicionale shqiptare janë tashmë të regjistruara nën skemat e cilësisë STG (Specialitet Tradicional i Garantuar) dhe TGJM (Tregues Gjeografik i Mbrojtur), si një hap i rëndësishëm drejt promovimit të trashëgimisë kulinare dhe mbështetjes së prodhuesve lokalë.
“”Taste of Albania” nuk janë thjesht çokollata, janë trashëgimia jonë kulinare, me produkte tradicionale të regjistruara nën skemat e cilësisë STG (Specialitet Tradicional i Garantuar) dhe TGJM (Tregues Gjeografik i Mbrojtur)”, deklaroi Rama.
Të tilla produkte të certifikuara janë molla e Dvoranit (TGJM); mjalti i Bedunicës (STG); glikoja e arrës së Përmetit (STG); vaj ulliri Valmi (TGJM); kumbulla e thatë e Shumbatit (STG); gështenja e Malësisë së Madhe (TGJM).
Ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi se produktet tradicionale shqiptare përfaqësojnë trashëgiminë kulinare dhe një potencial të rëndësishëm ekonomik për prodhuesit vendas në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
“Çdo copëz e këtyre produkteve lidhet me shijet e vërteta shqiptare, që përfaqësojnë jo vetëm një pasuri kulturore dhe kulinare, por edhe potencialin ekonomik të prodhuesve të vegjël vendas, duke i afruar gjithnjë e më shumë me tregjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare,” u shpreh ministrja Denaj.
Në funksion të rritjes së eksporteve dhe promovimit ndërkombëtar, Ministria e Bujqësisë po zbaton politika mbështetëse për certifikimin, paketimin dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës për produktet lokale.
Prodhuesit e certifikuar përfitojnë gjithashtu nga lehtësirat në pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare, akses në grante, si dhe promovim përmes platformave digjitale të tregtisë agro-ushqimore, duke krijuar kështu më shumë mundësi për eksport dhe zhvillim rural të qëndrueshëm./a.gj/ /a.g/
1 nga 4