Tatimet: Nga 10 qershori nis zbatimi i ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Nga data 10 qershor nis zyrtarisht periudha e pagesave për tatimpaguesit që synojnë të përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara.
Në prag të hyrjes në fazën e zbatimit të ligjit, Administrata Tatimore ka publikuar pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta për të sqaruar kategoritë përfituese, kushtet dhe afatet e përcaktuara.
Sipas sqarimeve të DPT-së, ligji parashikon fshirje të plotë të detyrimeve tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi kryesor, por vetëm penalitetet përkatëse.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019 parashikohet shuarje e pjesshme e detyrimit kryesor. Tatimpaguesit mund të përfitojnë faljen e 50% të principalit nëse paguajnë menjëherë 50% të mbetur në periudhën nga 10 deri më 30 qershor 2026. Një alternativë tjetër është falja e 25% të principalit, nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 31 dhjetor 2026. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Ndërkohë, për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, ligji parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesi të shlyejë 100% të detyrimit kryesor brenda afatit 10 qershor – 31 dhjetor 2026.
Administrata Tatimore sqaron se nga ligji përfitojnë tatimpaguesit dhe subjektet e regjistruara në administratën tatimore, qofshin aktive, pasive apo të çregjistruara, sipas kritereve të përcaktuara. Nuk përfitojnë personat apo subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë ose që janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe doganore.
Sipas udhëzimeve, teprica kreditore e tatimpaguesve do të përdoret automatikisht për shlyerjen e detyrimeve përpara aplikimit të përfitimeve që rrjedhin nga ligji. Për detyrimet që fshihen pa kushte, procedura kryhet automatikisht nga Administrata Tatimore, ndërsa në rastet kur përfitimi kushtëzohet me pagesë, ai realizohet vetëm pas kryerjes së pagesës brenda afateve të përcaktuara.
Tatimet informuan gjithashtu se tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë nga ligji vetëm nëse heqin dorë nga ankimi. Kërkesa zyrtare duhet të paraqitet pranë drejtorisë rajonale tatimore përkatëse duke filluar nga 10 qershori 2026 dhe jo më vonë se 30 nëntori 2026, përpara kryerjes së pagesës së detyrimit kryesor.
Nga skema përjashtohen rastet kur për detyrimet tatimore ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.
Ligji zbatohet gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2026 dhe synon të lehtësojë barrën financiare të tatimpaguesve, duke u krijuar mundësinë për të rregulluar situatën e tyre fiskale dhe për të mbyllur detyrimet e prapambetura ndaj administratës tatimore.
Në rast se një tatimpagues nuk përfiton nga fshirja apo shuarja e detyrimeve sipas këtij ligji, ai ruan të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
1 nga 6/r.e/