Të huaj pas protestës së dhunshme në Tiranë/ Policia arreston një shtetas amerikan dhe një italian

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka arrestuar edhe dy shtetas të huaj në kuadër të veprimeve të kryera pas protestës së fundit në kryeqytet. Bëhet fjalë për shtetasin italian Marko Benvenuto dhe shtetasin amerikan Julien Williams, të cilët dyshohet se janë përfshirë në akte dhune gjatë protestës.
Sipas burimeve, Marko Benvenuto është ndaluar nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pasi dyshohet se ka kryer akte dhune në zonën pranë Piramidës së Tiranës. Ndërkohë, edhe shtetasi amerikan Julien Williams ka përfunduar në prangat e policisë, në kuadër të të njëjtit operacion.
Burimet bëjnë me dije se të dy shtetasit i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Megjithatë, sipas policisë, janë administruar prova lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në episode dhune gjatë protestës.
Për arrestimet ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka theksuar se mes personave të arrestuar ka edhe shtetas të huaj, ndërsa ka kritikuar ata që, sipas tij, vijojnë ta cilësojnë protestën si një protestë studentore.
Ndërkohë, për dy shtetasit e arrestuar, procedurat ligjore do të vijojnë sipas parashikimeve përkatëse, ndërsa përgjegjësia penale përcaktohet nga organet e drejtësisë.
/abcnews.al