Të huajt eksplorojnë malet e Vlorës, turistët vlerësojnë peizazhet fantastike që ofron natyra

Jo vetëm turizëm detar por edhe malor. Vlora është një destinacion që tashmë ofron shumë duke ngjallur interesin e të huajve për të eksploruar vendin tonë. Rreth 50 turistë italianë, alpinistë prej disa ditësh ndodhen në Vlorë, pasi më herët kane ngjitur malin e Tomorrit. Sipas guidave lokale prej kohësh është rritur kërkesa për të vizituar Shqipërinë.
Turistët vlerësojnë ndryshimet që ka pësuar Vlora dhe Shqipëria duke bërë edhe thirrje të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri për të investuar në një vend që është duke u zhvilluar.
“Ju bëj një thirrje të rinjve të këtij vendi qëndroni në Shqipëri, ecni përpara këshu si e keni nisur pasi jeni në rrugën e duhur, keni turizëm të shkëlqyer malor, keni një bregdet të mrekullueshëm. Në Itali, Spanjë çdo gjë duket e mbaruar pa ate shpresën e rinisjes së një epoke të re me pak fjalë çdo gjë duket e vdekur edhe njëherë të rinjtë duhet të rrinë këtu.”
“Ne bëjmë pjesë në një shoqëri alpinistësh në Itali. Pra, jemi këtu për të ecur. Kemi ngjitur malin e Tomorrit. Unë kam qenë rreth 12 vjet më parë në Shqipëri, në zonën e Thethit dhe Valbonës. Ndërsa tani po shikoj sa shumë ka ndryshuar vendi juaj. Tani kemi ardhur në jug dhe këtu ka shumë alpinistë, dhe po eksplorojmë disa vende të tjera malore, pasi duam të ecim më shumë. Keni vende shumë të bukura dhe zona ku mund të ecësh”.
“Është hera e dytë këtu në Shqipëri, ndërsa herën e parë kam qenë edhe në Kosovë për të ecur. Isha vitin e kaluar dhe nuk arrita të shikoja shumë, por këtë vit kam mundësinë të eksploroj më shumë. Bashkë me grupin ngjitemi malin e Tomorrit, por nuk është e vetmja gjë që do bëjmë në Shqipëri. Jeni një vend që po zhvilloheni shumë dhe kjo është fantastike”.
Vlora vijon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara nga të huajt, teksa çdo vit numri i të huajve regjistron rritje./vizionplus.tv