Të moshuarit, ftesë për t’u vaksinuar. Mesazh bashkëmoshatarëve për përfitimet e vaksinës antigrip

Vaksinimi ndaj gripit po shënon ritme të shpejta të përthithjes në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.
Grupmoshat mbi 60 vjeç janë personat më të interesuar dhe më të përgjegjshëm ndaj thirrjeve të autoriteteve shëndetësore për t’u vetëmbrojtur kundër infeksionit gripal gjatë periudhës së dimrit.
Falë përfitimeve shëndetësore ndër vite nga vaksina kundër gripit, ata vetë ftojnë të tjerët, hezituesit apo indiferentët, që të mbrojnë veten.
“Është pozitive që njerëzit i përgjigjen kujdesit që ka personeli mjekësor, për shëndetin tonë,” tha një qytetar.
“Kam mbi 10 vite që vaksinohem dhe sapo mora njoftimin nga mjeku, u paraqita menjëherë. Jam i bindur se bëj mirë”, tha një tjetër.
“Njoftimin e mora nga infermierja e familjes. Vaksinën e bëjmë rregullisht dhe jemi gjithmonë të interesuar”, tha qytetarja.
Risi këtë sezon vjeshtë-dimër është rezervimi i datës dhe i orës për vaksinim përmes portalit e-Albania, si dhe vaksinimi në qendrën më të afërt shëndetësorë edhe pa qenë banor i zonës ku merr shërbimin.
Të gjitha këto lehtësira për të mos anashkaluar mbrojtjen ndaj një prej sëmundjeve e cila përveç komplikacioneve bëhet shkak edhe për humbje jete.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/