Të rinjtë marrin drejtimin simbolik të bashkisë Shkodër për një ditë

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Për një ditë, drejtimi i bashkisë së Shkodrës iu “besua” vizionit dhe energjisë së dy të rinjve model, në kuadër të një nisme që synon fuqizimin e zërit të brezit të ri në jetën publike.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se nga mbi 50 aplikime të nxënësve të grupmoshës 15–18 vjeç, Ajla Piraniqi, nxënëse e gjimnazit “28 Nëntori”, u përzgjodh në rolin e Junior Mayor, ndërsa Andrea Zalli, nga gjimnazi “Atë Pjetër Meshkalla”, si Deputy Junior Mayor.
Beci tha se gjatë kësaj eksperience simbolike, ata morën drejtimin e bashkisë për një ditë, zhvilluan takime me drejtues të drejtorive dhe prezantuan idetë e tyre për zhvillimin e qytetit, duke dëshmuar qartësi në vizion dhe angazhim qytetar.
Propozimet e tyre përfshinë iniciativa kreative si “Syri i Shkodrës”, “Shkodra në Lëvizje” dhe “Stacionet e energjisë pozitive”, si dhe ide për përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e turizmit, nxitjen e aktiviteteve sportive dhe krijimin e një biblioteke moderne.
Aktiviteti vuri në pah potencialin dhe imagjinatën e të rinjve, duke treguar se ata janë një zë i rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së qytetit.
Në përfundim, Beci tha se dy të rinjtë u vlerësuan me certifikata për vizionin, kreativitetin dhe përfaqësimin dinjitoz të të rinjve, duke shërbyer si shembull frymëzimi për bashkëmoshatarët e tyre.
/e.i/r.e/