Teatri i Ri, Veliaj: Karabinaja vitin tjetër, në 30 muaj çfarë humbëm në 30 vjet

Puna për Teatrin e Ri po vijon me ritëm dhe brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga aktorët Alfred Trebicka, Artan Imami, Arben Derhemi, Eni Jani dhe të tjerë, inspektoi punimet për përfundimin e godinës se re.
“Ky ka qenë një projekt shumë, shumë kompleks, shumë i debatuar, shumë i politizuar, por çdo krizë është edhe një mundësi. Ky është një investim për 100 vitet e ardhshme, ndaj mezi pres që brenda vitit tjetër ta kemi mbaruar edhe karabinanë, ndërkohë paralelisht do të fillojmë me lotin e dytë, do hapim garën për pajisjet teknologjike, inxhinierike, audio, video, foni, fasada metalike, fasada xhami, pra, e gjithë pjesa e formës së betonit që është ajo perdja simbolike e kapur e skenës,” sqaroi Veliaj.
Ai u shpreh entuziast për faktin se puna më e madhe për hedhjen e themeleve ka përfunduar.
“Kjo ishte një zonë, ku nuk kishte themele. Kur hapëm themelet e teatrit të ri zbuluam se kishte tunele nëntokësore, kurse vetë Teatri i vjetër nuk kishte asnjë themel. Tuneli nuk ndërpritej askund, por shkonte tejpërtej sipërfaqes së teatrit,” nënvizoi kryebashkiaku.
Veliaj u ndal edhe te parkingu nëntokësor, për të cilin tha se do të ketë 100 vende parkimi.
“Parkingu nëntokësor do të ketë rreth 100 vende parkimi për stafin dhe artistët, të cilët nuk kanë asnjë arsye pse të kërkojnë parkim në ditë të nxehta si sot. Komoditeti se mund të parkosh në vendin e punës, në katin zero, 1 dhe 2, është një lehtësi shumë e madhe. Plus është një mundësi që teatri të fitojë të ardhura. Sot arti subvencionohet, si kudo në botë, por jemi në një situatë ku disa projekte publike duhet të kenë edhe kuptim ekonomik.
Kur ka një kritikë të shëndoshë, unë besoj se e gjejmë gjuhën. Kur kjo bëhet për inat, për të bllokuar dhe futet në mes edhe politika, pastaj është një humbje spektakolare kohe, siç ishin këto 30 vitet e fundit. Do mundohemi të bëjmë në 30 muaj, atë që humbëm në 30 vite,” theksoi Veliaj.
Aktori Alfred Trebicka shtoi se Teatri i Ri Kombëtar është një ëndërr që po bëhet realitet.
“Gojët e liga do flasin, që teatri nuk ka për t’u bërë. Por Teatri po bëhet dhe është fantastik,” tha Trebicka.
“Ky Teatër është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për ne, por për të gjithë brezat që do të vijnë. E kalojmë atë fazën e turpit që nuk kishim një teatër të denjë në një kryeqytet europian. Është një gëzim i veçantë,” shtoi Imami.
/rtsh.al/