Teknologjia dhe inteligjenca artificiale në dogana, hap i ri drejt tregut evropian

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Shqipëria po avancon në modernizimin e sistemeve të informacionit doganor dhe harmonizimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit dhe përmbushjes së kërkesave të Kapitullit 29 – Bashkimi Doganor.
Administrata Doganore Shqiptare, në bashkëpunim me ekspertë të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), po zhvillon një workshop të dedikuar për sistemin e ri ASY-5 dhe zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në përputhje me standardet evropiane.
Në fokus të takimit është hartimi i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë së Teknologjisë së Informacionit, një nga kërkesat kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme për Taksat dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Evropian (DG TAXUD), në kuadër të negociatave për Kapitullin 29.
Ekspertët e UNCTAD, Dmitry Godunov, koordinator rajonal për Euro-Azinë, dhe Constantin Ciuta, menaxher projekti, vlerësuan bashkëpunimin shumëvjeçar me Administratën Doganore Shqiptare, duke e cilësuar atë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e sistemeve të reja të informacionit sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Gjatë workshop-it u diskutua edhe për ndërveprimin e sistemeve strategjike doganore, si Sistemi i Tranzitit (NCTS), Tarifa e Integruar Doganore (TARIC) dhe Dritarja e Vetme Doganore (National Single Window), me synim ofrimin e shërbimeve më efikase për biznesin dhe institucionet.
Administrata Doganore Shqiptare theksoi se ndërtimi i një infrastrukture moderne të teknologjisë së informacionit do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e analizës së riskut, reduktimin e kostove dhe kohës së përpunimit të deklaratave doganore.
Përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, pritet të mbështesë më tej transformimin digjital të shërbimeve doganore dhe procesin e përafrimit të Shqipërisë me tregun e përbashkët evropian.
/e.xh/j.p/