Tensionet antisemitiste në Gjermani, Merz paralajmëron emigrantët: Respektoni historinë! Kush nuk pranon, le të largohet

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se emigrantët myslimanë që nuk pranojnë përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin nuk kanë vend në vendin e tij, duke u bërë thirrje atyre që nuk e respektojnë këtë përgjegjësi të largohen nga Gjermania.
Deklaratën e tij Merz e bëri gjatë një aktiviteti në Berlin, të organizuar në nder të atletëve hebrenj që marrin pjesë në Lojërat Makabi, një ngjarje ndërkombëtare sportive hebraike që zhvillohet çdo katër vjet në Izrael.
“Kjo përgjegjësi historike e vendit tonë vlen njësoj edhe për ata që vijnë këtu në Gjermani nga vendet myslimane. Dhe kushdo që nuk i përmbahet kësaj duhet të largohet nga vendi ynë”, deklaroi kancelari gjerman.
Gjatë aktivitetit, një trajner basketbolli i ngriti shqetësimin Merz-it se atletët hebrenj ndihen të pasigurt të ecin në rrugët e Gjermanisë, duke mbajtur veshur xhaketat e kuqe sportive të ekipit Maccabi, të cilat mbajnë simbolin e Yllit të Davidit. Sipas tij, ekziston frika se ata mund të bëhen objekt sulmesh për shkak të identitetit të tyre.
Në përgjigje, Merz iu referua një fjalimi të ish-presidentit gjerman Richard von Weizsäcker, mbajtur në Bundestag në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në atë fjalim, von Weizsäcker kishte theksuar se brezat e rinj nuk mbajnë përgjegjësi personale për krimet e kryera gjatë regjimit nazist, por kanë përgjegjësi për mënyrën se si ato ngjarje do të kujtohen dhe do të trajtohen në histori.
“Të rinjtë nuk janë përgjegjës për atë që ndodhi atëherë. Por ata janë përgjegjës për mënyrën se si kjo do të regjistrohet në histori”, kishte deklaruar ish-presidenti gjerman.
Merz i cilësoi këto fjalë si të panegociueshme, duke theksuar se përgjegjësia për kujtesën historike duhet të jetë e përbashkët për të gjithë shoqërinë gjermane, përfshirë edhe ata që janë vendosur në vend si emigrantë.
Kancelari e lidhi deklaratën e tij me incidentet antisemite të raportuara në Gjermani, ku sipas tij, janë përfshirë edhe emigrantë myslimanë. Ai nënvizoi se respektimi i historisë dhe përgjegjësisë së Gjermanisë për shfarosjen sistematike të miliona hebrenjve gjatë Holokaustit duhet të jetë një detyrim për të gjithë ata që jetojnë në vend.