Trump: Izraeli dhe Lindja e Mesme nuk do të ekzistonin pa ndërhyrjen e SHBA-ve ndaj Iranit!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbrojtur me forcë fushatën ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit, duke deklaruar se pa ndërhyrjen e tij për të bllokuar programin bërthamor të Iranit, Izraeli dhe i gjithë rajoni i Lindjes së Mesme do të kishin shkuar drejt shkatërrimit të plotë.
Përmes një mesazhi të publikuar në platformën e tij sociale “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi rolin përcaktues të veprimeve të tij ushtarake dhe politike: “Izraeli dhe, në fakt, e gjithë Lindja e Mesme, nuk do të ekzistonin sot se po të mos e kisha ndaluar unë Iranin nga marrja e një Arme Nukleare. Askush nuk dëshiron ta thotë këtë, por të gjithë e dinë se është e vërtetë!”
Deklarata e Trumpit vjen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ku Partia Republikane pësoi një humbje të ndjeshme përballë demokratëve.
Vetë presidenti ka pranuar ditët e fundit se mosmbështetja e gjerë popullore për luftën e gjatë ushtarake në Lindjen e Mesme — e shoqëruar nga rritja e skajshme e inflacionit dhe kostoja e lartë e jetesës në nivel global — ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin negativ zgjedhor për partinë e tij.
Edhe pse pranoi këtë faturë të lartë politike, Trump insistoi se marrja e vendimit për ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit me qëllim eliminimin e kërcënimit bërthamor ishte hapi i duhur historik që shmangu një katastrofë më të madhe globale.
Ndërhyrja ushtarake e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve strategjike dhe bërthamore të Iranit ka ndikuar thellësisht në tregjet globale të energjisë dhe ka nxitur valë inflacioniste në mbarë botën.
Kjo gjendje ka rritur presionin mbi Shtëpinë e Bardhë nga opinion publik amerikan dhe ndërkombëtar.
Ndërkaq, shtetet ndërmjetësuese si Katari po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje armëpushimi ose një marrëveshje interim mes Uashingtonit dhe Teheranit.