E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tensionet në seancën e djeshme plenare, Bardhi dhe Kreka përjashtohen për 10 ditë nga punimet e Kuvendit

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputeti Fidel Kreka janë përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Vendimi u mor nga Komisioni i Etikës pas kërkesës së Partisë Socialiste për masë disiplinore ndaj tyre.

Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Etikës, deputeti demokrat Saimir Korreshi akuzoi mazhorancën se po përdor mekanizmat e Kuvendit për të shtypur opozitën, duke e cilësuar këtë sjellje antikushtetuese.

“Ju e patë që Niko Peleshi bashkë me kryetarin e grupit parlamentar [të PS-së], z. Taulant Balla, edhe shoqja ‘Diella’ në fjalën e saj e ka provokuar opozitën. Ju e patë. Me shkelje syri, me vendimet e tyre bënë që të mos i japin të drejtën opozitës për t’u shprehur mbi programin qeveritar,” deklaroi Korreshi.

Përjashtimi i dy ligjvënësve vjen pas seancës së tensionuar në Kuvend, ku ndaj kryeministrit dhe kreut të Kuvendit u hodhën shishe uji dhe rregulloret e Kuvendit. Situata u përshkallëzua pasi opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Edi Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›