“Territorialja”, Mazniku: Të nisim dëgjesat, të mos ngecim në vend. Boçi: Procesi të jetë transparent dhe informues për qytetarët

Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale zhvilloi këtë të mërkurë, 11 mars, një mbledhje ku u diskutua mbi ecurinë e procesit dhe organizimin e fazës dëgjimore me aktorët e interesuar.
Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se komisioni ka një axhendë që parashikon nisjen e fazës së seancave dëgjimore, duke shpresuar që këto takime të përmbyllen brenda muajit prill.
“Duhet të kemi një komunikim me të gjitha palët dhe grupet e interesuara, ku secila palë të japë kontributin e saj, në mënyrë që ta kryejmë këtë fazë dëgjimore në kohë dhe të mos e çojmë situatën në një zvarritje të procesit. Ka kohë që diskutojmë teknikalitete dhe ende nuk kemi nisur punën”, u shpreh ai.
Ndërkohë, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Luçiano Boçi, theksoi se reforma duhet të realizohet mbi baza serioze dhe me një proces të plotë konsultimi.
“Dëgjoj vazhdimisht çështjen e kohës. Nuk është koha që bën reformën, por reforma përcakton kohën. Qëllimi është të realizojmë një reformë të duhur dhe serioze që pasqyron kërkesat e qytetarëve, por edhe kërkesat që vijnë nga bashkitë dhe komuniteti ndërkombëtar. Opozita nuk është kundër një axhende, por seancat dëgjimore duhet të respektojnë disa hapa. Ende nuk kemi konstituuar grupin e ekspertëve që duhet të kishin nisur punën për një raport vlerësues paraprak”, u shpreh Boçi.
Ai shtoi se opozita nuk ishte informuar për numrin e personave që parashikohet të marrin pjesë në dëgjesa dhe theksoi se procesi duhet të jetë transparent për publikun.
“Nuk mund të nisin dëgjesat pa ndërtuar faqen në internet të komisionit dhe elementë të tjerë që ndihmojnë komunikimin me publikun. Në të kundërt, po bëjmë një reformë të mbyllur politike, pasi qytetarët nuk marrin asnjë informacion. Dëgjesat duhet të bëhen në vende neutrale, pariteti i pjesëmarrësve është i domosdoshëm dhe diskutimet duhet të jenë efektive, edhe online, në mënyrë që qytetarët të informohen”, tha Boçi.
Nga ana tjetër, Mazniku u shpreh se që në mbledhjen e parë, kur u krijua komisioni, është paraqitur një axhendë e qartë për hapat që duhet të ndjekë puna e tij dhe për të cilën. Ai shtoi se nuk mund të ngrihet një problem nga opozita sa herë bëhet një hap para.
“Nëse do të bëjmë reformë, nuk mund ta bëjmë vetëm duke folur me kryetarët e bashkive. Ata janë njerëz që kanë një mandat politik, por diskutimi duhet të përfshijë edhe qytetarët. Gjithashtu duhet të përfshijmë ish-deputetë dhe ish-kryetarë bashkish. Por sa herë që bëjmë një hap përpara në punë, del një problem tjetër që e pengon procesin”, tha Mazniku.
Ai shtoi se elemente si krijimi i faqes së internetit nuk duhet të pengojnë nisjen e diskutimeve.
“Nuk na pengon mungesa e faqes së internetit për të nisur diskutimet e fazës së parë. Qëllimi është të kuptojmë nga ekspertët e financave të bashkive, urbanistët dhe specialistët e tjerë se cilat janë problemet dhe cilat janë zgjidhjet që duhet të shqyrtojmë”, përfundoi ai.
/rtsh.al/