“Tetori rozë”, Kamenica: Kontrolli, dhurata më e bukur për veten

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndau një videomesazh nga artistja Vikena Kamenica në kuadër të “Tetorit rozë”. Mexosopranoja u bën thirrje vajzave të ndërgjegjësohen për t’u vetëkontrolluar.
“Çdo kontroll është një dhuratë e bukur që i bëni vetes dhe atyre që doni më shumë. Është një premtim më tepër për më shumë buzëqeshje, përqafime dhe kujtime të paharrueshme me njerëzit e zemrës. Vetëkontrolli është akti më i bukur i kujdesit që mund t’i bëni vetes dhe atyre që ju rrethojnë. Është ky hap i rëndësishëm, që duhet marrë sot, mos e lini që koha të kalojë! Kujdesuni për veten, shëndetin dhe jetën tuaj”, bën thirrje Kamenica në videomesazhin e bërë publik në rrjetet sociale.
“Tetori rozë” është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Autoritetet si dhe personalitete me ndikim kanë bërë apel gjatë këtij muaji për gratë e vajzat për të kryer kontrollet: ekografi, mamografi etj për t’u kujdesur për veten. /j.p/