Tetova konteston gjykimin në Shkodër: Penallti rasti i Ruçit, çudi edhe goli ynë i anuluar

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka pasur pretendime për gjykimin e kryesorit Florian Lata dhe interpretimin e VAR-it të disa episodeve gjatë ndeshjes me Vllazninë, ku skuadra e tij humbi 1-0. Tetova ka rezerva për një penallti të paakorduar në favor të Egnatias, si dhe për golin e anuluar.
“Mungesat janë pjesë e garës, ishin 5 lojtarë sot dhe ndikon. Për atë që dhanë çunat, siç e kishim përgatitur ndeshjen, mendoj se punuam mirë. Bëmë gabime dhe kundërshtari mori masat e veta. Mendoj se është penallti rasti në pjesën e parë. Te rasti i Ruçit, nuk ka interes për topin dhe çuditërisht nuk ka penallti.
Dhe rasti i golit të anuluar nuk shihet në VAR. Nuk po them se është shumë larg trajektores, por është larg. Çuditërisht goli na anulohet. Nuk e di pse janë këto situata ndaj nesh. Fundi është Vllaznia-Egnatia dhe duam të luajmë futboll. Siç meriton Vllaznia, duam edhe ne situatat tona.
Nga mungesat kishim lojtarë jashtë pozicionit. Goli që morëm mund të ishte i vetmi rast për Vllazninë në pjesën e parë. Ka një ndërhyrje gabim, që vjen nga qendra djathtas dhe pësojmë një gol të lehtë. Skuadra reagoi, por pa qenë efikase para portës kundërshtare. Në dy raste ishim afër barazimit, duhet t’i japim merita edhe portierit kundërshtar”, – tha trajneri Tetova për “RTSH” pas ndeshjes në Shkodër.