Teuta shtang Dinamon, shpreson “Final Four”

Teuta ka mundur 1-0 Dinamon në Tiranë dhe shpreson fort për vendin e katërt. Diferenca me Partizanin është gjashtë pikë, por java e ardhshme mund të vendosë shumë, në përballjet direkt midis të kuqve dhe durrsakëve, ndërsa Dinamo e zhytur në krizë luan me Vllazninë.
Teuta ka mbajtur gjallë shpresat për vendin e katërt me fitoren 1-0 kundër Dinamos në Arenën Kombëtare në Tiranë, pasi Partizani ishte frenuar më parë në barazim nga Vora. Distanca midis durrsakëve dhe të kuqve tani është gjashtë pikë, por javën e ardhshme do të jetë përballja direkt midis tyre, që mund të vendosë shumë për katërshen finale.
Kundër Dinamos, një fitore e merituar e Teutës që nuk i lejoi asnjëherë kundërshtarit të rrezikonte seriozisht portën. Sinjali i parë i bluve ishte me një goditje të lirë nga Bregu në minutën e 14-të, por Selmani u përgjigj në mënyrën e duhur, ndërsa në portën tjetër, pas katër minutash, Votlai gjuan jashtë me kokë pas krosimit nga këndi.
Në minutën e 26-të, Bregu rrëzohet në zonës pas pasimit nga Berisha dhe kërkon penallti, pa fituar asgjë. Minuta e 31-të sjell golin e vetëm të takimit, nga Arifi që merr pasimin nga Ismaili dhe i rrethuar nga mbrojtësit ruan qetësinë dhe gjuan saktë drejt rrjetës.
Dinamo nuk di të reagojë, i mungojnë krejtësisht idetë dhe shfaqet e rrezikshme vetëm në goditjet standard, si në minutën e 59-të, kur, pas një goditjeje të lirë të Alijit, topi shkon te Qefalija që gjuan fort dhe sërish Selmani jep përgjigjen e duhur.
Teuta luan fort e thjeshtë, e vendosur të mbrojë rezultatin, ndërkohë që kundërsulmet për golin e dytë i ka të pakta. Minuta e 70-të sjell një tjetër rast për Dinamon, me aksionin që mbyllet me gjuajtjen e Vilës, pa gjetur kuadratin pa portier, pas daljes së Selmanit në dyluftim me Bregun.
Në minutën e 94-t, Rooney largohet me kartonin e kuq pas një faulli me taka në gjurin e Bregut, por për Dinamon nuk ka më kohë që ta shfrytëzojë epërsinë numerike. Del e humbur nga fusha dhe vendi i katërt tani duket edhe më i largët.