E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti shtrëngon llogaritë ndaj debitorëve, Agjencia e re merr kompetenca për sekuestrimin e llogarive dhe shitjen e pasurive në ankand

Qeveria shqiptare ka miratuar një rregullore të re dhe të detajuar që synon rikuperimin e qindra miliona eurove të dhëna ndër vite përmes garancive shtetërore, huave dhe nënhuave që nuk janë shlyer nga subjektet përfituese. Përmes këtij vendimi, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera merr në dorë “frenat” e një procesi që do të godasë drejtpërdrejt xhepin e debitorëve që kanë shfrytëzuar fondet publike pa i kthyer ato.

Ky kuadër i ri ligjor jo vetëm që saktëson hapat që do të ndiqen për vjeljen e borxheve, por i jep shtetit të drejtën të kthehet në pronar të pasurive të lëna si kolateral dhe t’i shesë ato për të rimbursuar buxhetin.

Bllokim llogarish dhe ekzekutim i detyrueshëm

Sipas procedurës së re, sapo Ministria e Financave paguan një garanci për një hua që subjekti nuk e ka shlyer, Agjencia nis menjëherë procesin e rikuperimit. Hapi i parë është verifikimi i aftësisë paguese të debitorit.

Nëse rezulton se huamarrësi ka fonde por refuzon të paguajë, Agjencia ka kompetencën të kërkojë bllokimin e menjëhershëm të llogarive bankare dhe sekuestrimin e shumave përkatëse. Për ata që pretendojnë paaftësi paguese, Agjencia do t’i drejtohet Gjykatës për të marrë urdhrin e ekzekutimit të detyrueshëm, duke vënë në lëvizje përmbaruesit deri në shlyerjen e qindarkës së fundit.

Shteti “sekuestron” pronat që nuk shiten

Një nga pikat më të forta të këtij vendimi ka të bëjë me pasuritë e lëna si garanci. Nëse një pronë e debitorit del në ankand nga përmbaruesi dhe nuk blerës, ajo nuk mbetet më “peng” i proceseve të gjata. Pasuria do të kalojë automatikisht në pronësi të Agjencisë me vlerën e ankandit të fundit.

Shteti do të marrë përsipër administrimin dhe ruajtjen e këtyre pasurive (ndërtesa, tokë apo mjete të luajtshme), por me një kusht: shpenzimet e ruajtjes, magazinimit apo parkimit do t’i shtohen borxhit të debitorit. Agjencia më pas do të organizojë ankande publike për shitjen e këtyre pronave, ku të ardhurat do të derdhen 100% në Buxhetin e Shtetit.

Filtër i rreptë për Garancitë Sovrane

Vendimi prek edhe skemat e garancive sovrane (ku shteti garanton kreditë e bizneseve në banka private). Agjencia do të kryejë një “audit” të rreptë për çdo kërkesë pagese që vjen nga bankat. Nëse zbulohet se huamarrësi i ka përdorur paratë për qëllime të tjera nga ato që ishin rënë dakord, shteti do të refuzojë pagesën e garancisë, duke lënë përgjegjësinë mbi subjektin dhe bankën.

Mundësia e fundit për debitorët e vjetër

VKM-ja e re lë edhe një “dritare” shpëtimi për ata që kanë kredi shumë të vjetra (nga ish-bankat shtetërore para privatizimit). Nëse debitori shlyen detyrimin e plotë dhe shpenzimet gjyqësore, shteti detyrohet t’i kthejë pronën e sekuestruar, duke i dhënë fund procesit të gjatë të rikuperimit.

Ky vendim shënon fundin e rregullave të vjetra të vitit 2009 dhe tregon një qasje shumë më agresive të shtetit për të menaxhuar paratë publike dhe borxhin e pashlyer.

Pikat kyçe të procedurës së re

AKGZP njofton zyrtarisht debitorin për shumën e pashlyer.

Bllokim llogarish bankare për subjektet me aftësi paguese.

Kalimi i kolateralit në pronësi të shtetit nëse dështojnë ankandet përmbarimore.

Agjencia organizon ankande të reja bazuar në çmimet minimale fiskale.

Raportim mujor midis Agjencisë dhe Ministrisë së Financave për çdo borxhli.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›