Themeli: BSH pret që rritja ekonomike të arrijë deri në 4%

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Rritja ekonomike pritet të arrijë deri në 4%, sipas projeksioneve të Bankës së Shqipërisë.
Kështu deklaroi Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, gjatë një interviste televizive, teksa u ndal në ecurinë pozitive të treguesve makroekonomikë të vendit.
Themeli tha se, shëndeti makroekonomik i vendit mbetet pozitiv dhe në forcim të mëtejshëm.
Sipas tij, bizneset janë në fazë zgjerimi të kapaciteteve prodhuese, ndërsa turizmi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike.
Gjithashtu, nënvizoi Themeli, kreditimi është rritur me ritme të shpejta 16-17 % rritje vjetore në vitin 2024, me fokus të veçantë në investimet e bizneseve dhe kreditë me probleme janë ulur në nivelin e 4 %.
Gjatë intervistës ai u ndal edhe në masat e fundit të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për vendosjen e kufirit të sipërm për standardet e kredive të reja që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
“Kjo masë është ndërmarrë për të ruajtur nivelin e rrezikut në të ardhmen, në sektorin e kredisë. Aktualisht situata e zhvillimeve ekonomike dhe financiare është pozitive, dhe masa të tilla merren me qëllim parandalimin e rreziqeve që mund të akumulohen në këtë fazë pozitive të ciklit ekonomik dhe financiar”, tha Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë. /j.p/