KIEV – Zelensky: Rusia ka grumbulluar rreth 50 000 ushtarë në rajonin verilindor

KIEV, 28 maj /ATSH-DPA/- Rusia ka grumbulluar afërsisht 50 000 ushtarë për një avancim të mundshëm në rajonin verilindor, Sumy në Ukrainë, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një deklaratë të publikuar sot nga agjencia shtetërore e lajmeve “Ukrinform”.
“Ushtria ukrainase po përpiqet të parandalojë sulmin përmes veprimeve të saj në rajonin fqinj rus, Kursk”, tha dje Zelensky gjatë një konference për shtyp.
Deklarata e tij u publikua sot nga media ukrainase – ndërsa ai ishte duke udhëtuar në Berlin.
“Qëllimi i një avancimi të mundshëm rus në Sumy mund të jetë krijimi i një zone tampon në anën e kufirit ukrainas”, spekuloi Zelensky.
“Rusisë do t’i mungojnë këta ushtarë në pjesë të tjera të frontit, si në Pokrovsk, në rajonin e Donbasit”, tha presidenti ukrainas.
Deri më sot, Kremlini nuk ka paraqitur asnjë pretendim për marrjen e kontrollit të Sumy, ndryshe nga territoret e tjera të pushtuara ukrainase.
Megjithatë, kohët e fundit, presidenti rus Vladimir Putin foli me shaka për pushtimin e Sumy-t, gjatë një takimi me zyrtarë rajonalë dhe lokalë në Kursk. //a.i/