Thirrje për ndryshime kushtetuese, Osmani: Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga populli

Situata politike në Kosovë është përfshirë nga një ngërç i ri institucional lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke argumentuar se vetëm kështu mund të shmangen bllokadat politike në Kuvend.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Osmani deklaroi se i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të ndërmarrë amendamente kushtetuese, që do të ndryshonin mënyrën aktuale të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Sipas saj, vendimi për presidentin duhet t’i takojë drejtpërdrejt popullit.
Reagimi i Osmanit: ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!