E Martë, 3 Nëntor 2026

“Thuaji që nuk jam shqiptar”, mësuese Papajani rrëfen historinë e shqiptarëve në Greqi që paragjykoheshin nga prejardhja

Bora Papajani, mësuesja himarjote pre vitesh u mëson 130 nxënësve gjuhën shqipe në Athinë. E nisi punën si vullnetare me dëshirën për të futur gjuhën shqipe zyrtarisht në kurrikulat e shkollës, ku sot ka ngritur dy klasa në shkollat publike të Athinës.

Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, mësuesja Papajani tha se mentaliteti gjatë viteve ka ndryshuar shumë, ku sot fëmijët shqiptarë nuk kanë më turp dhe frikë të thonë që janë nga Shqipëria.

“ Këtë profesion e kemi bërë krejtësisht vullnetare, por jemi të vetëdijshëm që mësimi i gjuhës shqipe është një obligim i secilit nga ne. Nuk ka komb pa gjuhë dhe të gjitha ne mësueset u dedikuam t’i mësojmë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe. Kemi ndeshur shume peripeci gjatë viteve. Ne kemi një numër të madh nxënësish sot, ku jap mësim në dy shkolla publike. Ka ndryshuar opinioni dhe mentaliteti, ku deri dje fëmijët kur ecnin në rrugë nuk donin që ta dëgjonin shokët që ishin nga Shqipëria dhe u thonin prindërve që të mos flisnin shqip. Sot me krenari thonë që janë nga Shqipëria dhe flasin shqip dhe kjo është arritje e madhe”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›