E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, Shkodra, Fieri, Lushnja e Lezha ndezin dritat e festave, atmosfera e fundvitit mbush sheshet kryesore

Atmosfera festive ka pushtuar qytetet kryesore të vendit, teksa mbrëmjen e sotme janë ndezur dritat e pemëve të fundvitit dhe janë çelur aktivitetet e dhjetorit. Nga Tirana në Fier, nga Lushnja në Shkodër e Lezhë, sheshet janë mbushur me fëmijë, familje dhe dekorime shumëngjyrëshe që shënojnë nisjen e sezonit të festave.

Tirana ndez dritat në sheshin “Skënderbej”

Në kryeqytet, dritat e pemës së festave u ndezën mes këngës “Ja na erdhi Viti i Ri”, kënduar nga fëmijët. Nënkryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, mori pjesë në ceremoni. Momenti kulmor erdhi pas numërimit mbrapsht, teksa fëmijët, të kapur për dore, pritën ndezjen e pemës që shënon nisjen zyrtare të aktiviteteve të fundvitit në kryeqytet.

Shkodra sjell “Dhjetorin e Festave”

Nga Shkodra, Kryeministri Edi Rama publikoi një video nga aktivitetet e “Dhjetorit të Festave”, ku shihen fëmijë dhe familje të mbledhur në qendër të qytetit mes dritave dhe dekorimeve festive, shoqëruar me këngë. Pamjet tregojnë atmosferën e gjallë që ka përfshirë qytetin në prag të fundvitit.

Festë dhe muzikë në Fier

Edhe në Fier, qendra e qytetit u mbush me ngjyra dhe muzikë. Qindra fëmijë me kostume të kuqe kërcyen e kënduan nën dritat shumëngjyrëshe, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë në pritje të festave. Qytetarë të shumtë iu bashkuan aktivitetit, që shënoi ndezjen e pemës së fundvitit.

Lushnja ndez dritat mes performancave të fëmijëve

Në Lushnje, kryebashkiakja Eriselda Sefa ndezi dritat festive në sheshin kryesor, ndërsa fëmijët e Qendrës Kulturore interpretuan këngë dhe valle të sezonit. Dhjetëra fëmijë me kostume të kuqe krijuan një atmosferë të gjallë, të shoqëruar nga prania e shumë qytetarëve.

Atmosfera e festave të fundvitit troket edhe në Lezhë

I gjithë qyteti i Lezhës është “veshur” me dekorin festiv, ndërsa ndezja e dritave u bë përmes një ceremonie të veçante në lulishten para memorialit të “Gjergj Kastriotit”. Nën ritmet e bandës frymore të qytetit, fëmijë të shumtë parakaluan drejt qendrës së festës, ndërsa për të pranishmit ishte organizuar edhe një aktivitet artistik me këngë dhe valle. Pjesë e festës u bënë qindra qytetar të cilët iu gëzuan atmosferës së krijuar. Në këtë natë festive ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu, i cili uroi të gjithë qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›