Tirana dhe Elbasani në festë për Ditën e Verës, rrugët që janë bllokuar dhe deri kur zgjasin kufizimet

Tirana është sot, 14 mars, në atmosferë festive për Ditën e Verës, ndërsa në disa akse kryesore të kryeqytetit vijon kufizimi i qarkullimit të automjeteve, sipas masave të njoftuara më herët nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës.
Për shkak të aktiviteteve që po zhvillohen në qytet, qarkullimi i mjeteve është kufizuar në disa rrugë kryesore. Sipas planit të masave, nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00, është kufizuar qarkullimi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel Dajti, për të vijuar më pas në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali”, kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 e së premtes deri në orën 02:00 të mëngjesit të datës 15 mars, është ndaluar qarkullimi edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Këto masa janë ndërmarrë për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive dhe për t’u dhënë qytetarëve mundësinë që të festojnë në mënyrë të qetë.
Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në disa akse alternative të kryeqytetit, si në rrugët “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Bajram Curri”, rrugën “Myslym Shyri” dhe “Abdi Toptani”.
Edhe në Elbasan janë marrë masa të posaçme për mbarëvajtjen e festimeve.
Policia e Elbasanit ka njoftuar se të gjitha strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë datave 13 dhe 14 mars, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitetet festive dhe në akset kryesore rrugore të qytetit. Po ashtu, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë festimeve të Ditës së Verës.
Dita e Verës është një festë pagane. Festimet kryhen në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashmë kjo festë është ditë kombëtare pushimi.
Festimet për Ditën e Verës nisën që në mbrëmjen e 13 marsit me një festë elektronike në Parkun Europa, pranë Sheshi Skënderbej, nga ora 18:00 deri në mesnatë, ku performuan artistë dhe DJ të ndryshëm.
Në Sheshi Skënderbej do të krijohet një ambient festiv me instalacione artistike, aktivitete argëtuese dhe makina retro të dekoruara me lule natyrale që shërbejnë edhe si pika fotografike për vizitorët.
Ndërkohë, në Parkun Europa do të zhvillohet një koncert festiv me artistë dhe grupe muzikore, duke krijuar një atmosferë energjike për qytetarët dhe të rinjtë.