E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana drejt zgjedhjeve, Rama: Manastirliu ka mbështetjen e plotë të PS, rivalët garojnë për të humbur

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me deputetë dhe ish-deputetë të qarkut Tiranë si dhe ministrat e kabinetit.

Në takim ishte edhe deputetja Ogerta Manastirliu, e cila është propozuar nga kryesocialisti Edi Rama si kandidate për bashkinë e Tiranës nga radhët e PS.

Takimi, i cili u zhvillua në selinë e PS, kishte në fokus përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, pas vendimit të marrë të martën pasdite nga këshilli bashkiak i Tiranës, që propozon shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për mungesë në detyrë të paktën për tre muaj.

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama nënvizon se ka ardhur momenti të adresohet boshllëku i lënë në Tiranë nga arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të nisim punët për zgjedhjet e reja në Tiranë.

“Tema jonë si palë përgjegjëse në mbarëvajtjen e punëve në këtë vend është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun për ditë e më të dëmshëm në krye të bashkisë Tiranës, sepse Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk mund të bashkëjetojnë pafundësisht me një bashki “kokëkëputur”, e cila, duke mos pasur një të zgjedhur prej tyre në krye të saj, nuk mund ta ketë as legjitimitetin demokratik për t’i udhëhequr ata drejt të ardhmes”.

“Tema jonë si Partia Socialiste e Shqipërisë është që sot, krahas të gjitha punëve të tjera të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë, ku me kandidaten e duhur, me vizionin, me ambicien, aftësinë dhe përkushtimin e duhur, dhe patjetër edhe me organizimin dhe mbështetjen e duhur, do të marrim rezultatin e duhur, për t’i dhënë lokomotivës, Shqipërisë, shpejtësinë e duhur për Tiranën 2030, në Shqipërinë 2030”, tha Rama.

Rama u shpreh se në radhët e socialistëve, Manastirliu ka gjetur mbështetje, e se tashmë është radha e saj që të udhëheqë Tiranën. Sipas Ramës aq e fortë është mbështetje PS-së ndaj Manastirliut saqë është krejt pa interes se kush do të jenë kandidatët e saj rivalë, të cilët sipas kreut të PS-së hyjnë në garë për të humbur.

“Më vjen shumë mirë që siç edhe ju të gjithë, besoj e keni konstatuar kandidatura e Ogertës ka gjetur menjëherë mbështetjen e plotë të familjes sonë të madhe politike, ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë për Tiranën dhe janë të një mendje për faktin se është radha e saj ta udhëheqë Tiranën me ambicien, qartësinë dhe qetësinë që e ka karakterizuar gjithnjë në të gjitha detyrat ku ka spikatur deri tani. Aq e fortë është me sa unë shoh mbështetja e Partisë Socialiste ndaj Ogertës, sa që është krejt pa interes se kush do të jetë apo cilët do të jenë kandidatët e saj rivalë, të cilët do të hyjnë në garë të humbur, por do dalin nga gara edhe më të humbur”, tha Rama.

Rama tha se edhe në një anketim të bërë enkas ditët e fundit në Tiranë, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e kanë mendjen tek ndonjë rival i kandidates së PS-së, por tek problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga bashkia.

“Edhe në anketimin që kemi bërë enkas ditët e fundit për Tiranën, është shumë e qartë që shumica dërmuese e qytetarëve nuk e kanë gjëkundi mendjen tek ndonjë rival i kandidates së Partisë Socialiste, po e kanë me plot të drejtë hallin tek problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga bashkia e Tiranës. Duke filluar nga uji i pijshëm, i cili si asnjëherë më parë në këtë periudhë është kthyer në problem, është një problem i keqadministrimit dhe për këtë arsye, ne do të ndërhyjmë përsëri në drejtimin e ujësjellësit të bashkisë Tiranës”, u shpreh Rama.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim edhe me nënkryetarët e bashkisë së kryeqytetit, të cilët do të menaxhojnë bashkinë deri në zgjedhjet e ardhshme.

1 nga 6

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›