Lamallari pret VanHorn: Progresi në sundimin e ligjit është i pakthyeshëm. Synimi mbetet anëtarësimi në BE deri në vitin 2030

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ministri Lamallari bëri të ditur se temat kryesore të takimit ishin ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
“Kënaqësi të prisja sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë të pakthyeshëm progresin e arritur deri më tani dhe për të garantuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030”, tha Lamallari.
Teksa publikoi edhe foto nga takimi me diplomaten amerikane, ministri Lamallari theksoi: “Mbetemi të përkushtuar të forcojmë kapacitetet tona në institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh.”.
Në përfundim ministri nënvizoi se “partneriteti strategjik me SHBA dhe mbështetja e vijueshme e tyre në shumë reforma kyçe, për ne kanë një vlerë të çmuar”.
/rtsh.al/