E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana pret Kongresin e 27-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, në fokus sfidat e sistemit shëndetësor

Dhjetëra mjekë shqiptarë nga Europa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rajoni do të mblidhen nesër në Tiranë në kuadër të Kongresit të 27-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë (AMFE), një organizim i njohur nga autoritetet gjermane të shëndetit publik dhe i akredituar me 11 kredite profesionale.

Federata, e themeluar për të rrjetëzuar mjekët shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të botës, prej vitit 2019 ka organizuar aktivitete shkencore dhe profesionale në Europë dhe SHBA, me synimin për të shkëmbyer eksperienca dhe për të kontribuar në përmirësimin e sistemeve shëndetësore në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, Gjergji Pashaj, në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, tha se tema kryesore e kongresit do të jetë antibiotikorezistenca, e cilësuar tashmë si një “pandemi e heshtur” globale.

Sipas tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se deri në vitin 2050, nëse nuk merren masa ndaj keqpërdorimit të antibiotikëve, numri i viktimave mund të arrijë deri në 50 milionë njerëz në nivel global.

“Antibiotikorezistenca nuk lidhet vetëm me përdorimin pa kriter të antibiotikëve nga qytetarët, por edhe me përdorimin e tyre në zinxhirin ushqimor, veçanërisht në produktet blegtorale dhe mishin që konsumojmë çdo ditë”, u shpreh Pashaj.

Ai theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet ndërgjegjësimi i publikut për të shmangur vetë-mjekimin dhe marrjen e antibiotikëve pa konsultë me mjekun.

“Shumë qytetarë marrin antibiotikë sepse ‘i bëri mirë dikujt tjetër’, por kjo është një praktikë e rrezikshme. Kur organizmi krijon rezistencë, antibiotiku nuk ka më efekt kur nevojitet realisht”, tha ai.

Në kongres do të marrin pjesë mjekë dhe specialistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Danimarka dhe Finlanda, të cilët do të prezantojnë eksperiencat dhe praktikat e sistemeve shëndetësore europiane mbi përdorimin e antibiotikëve dhe terapive antimikrobike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›