Tirana zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro

TIRANË, 5 janar /ATSH/ KF Tirana ka prezantuar një tjetër afrim në merkaton e dimrit, duke zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro.
Futbollisti 25-vjeçar, pas kryerjes së analizave mjekësore, ka hedhur firmën në kontratë dhe është bërë zyrtarisht pjesë e bardhebluve.
Cortes Alfaro i është bashkuar menjëherë ekipit në fushën stërvitore dhe ka nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Nuhiu, duke u vënë në dispozicion të stafit teknik për sfidat e radhës.
Afrimi i tij vjen si pjesë e riorganizimit të skuadrës në një moment delikat të sezonit.
Ky transferim shënon një hap të radhës në një merkato mjaft aktive për Tiranën, e cila pak ditë më parë zyrtarizoi largimin e nëntë futbollistëve nga organika. Klubi bëri me dije se Dembele, Junior, Valerianos, Soler, Gjumsi, Tola, Kozi, Patsatsia dhe Fernandez nuk janë më pjesë e skuadrës, largime të realizuara me marrëveshje të përbashkët mes palëve.
Masat drastike vijnë pas pozicionit të fundit në renditje dhe rrezikut serioz të rënies nga kategoria.
Gjatë këtij sezoni, KF Tirana ka ndërruar tre trajnerë, ndërsa në merkaton e dimrit priten afrime të tjera në të gjitha repartet, nën drejtimin e drejtorit sportiv Omer Bunjaku, me synimin për të përmbysur situatën dhe për të siguruar mbijetesën.
/gj.m/r.e/a.f/