E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Shefi i shërbimit sekret jep dorëheqjen si pjesë e riorganizimit të organit të sigurisë

KIEV, 5 janar /ATSH-DPA/ – Kreu i shërbimit të sigurisë SBU të Ukrainës, Vasyl Malyuk do të japë dorëheqjen nga posti i tij, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Malyuk konfirmoi në platformën “Telegram” se po jepte dorëheqjen dhe tha se do të mbetej në sistemin e SBU-së – për të zbatuar operacione speciale asimetrike të nivelit botëror.

Termi i referohet përdorimit të taktikave jokonvencionale kundër një kundërshtari, siç janë sulmet kibernetike, lufta guerile ose bastisjet e synuara.

Malyuk, 42 ​​vjeç, ka udhëhequr SBU-në që nga viti 2023, gjatë së cilës kohë ai mbikëqyri disa nga vrasjet e profilit të lartë të agjencisë dhe operacionet speciale më të guximshme brenda Rusisë.

Zelensky u takua me Malyuk për ta falënderuar për shërbimin e tij dhe për ta angazhuar atë në operacione të fshehta, brenda SBU-së.

Zelensky aktualisht po ristrukturon organin e sigurisë dhe mbrojtjes së Ukrainës, pas gati katër vitesh lufte kundër forcave ruse që nisi në shkurt 2022.

Ai lëshoi sot ​​një dekret që urdhëronte Yevgeny Khmara të merrte përsipër detyrën e kreut të përkohshëm të SBU-së.

Chmara është aktualisht kreu i Qendrës për Operacione Speciale “A” të shërbimit sekret ukrainas.

Zelensky emëroi ish-zëvendëskryeministren kanadeze Chrystia Freeland si këshilltare për zhvillimin ekonomik. Ish-gazetarja vjen nga një familje emigrantësh ukrainase në Kanada.

Ai emëroi ish-kreun e inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, si kreun e zyrës së tij presidenciale.

“Zëvendëskryetari i qeverisë dhe ministri për Transformimin Digjital, Mykhailo Fedorov, do të marrë përsipër portofolin e mbrojtjes nga Denys Shmyhal”, tha Zelensky.

Shmyhal, i cili më parë shërbeu edhe si kryeministër, do të bëhet ministër i Energjisë. Parlamenti duhet së pari të konfirmojë emërimet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›