E Martë, 3 Nëntor 2026

Tiranë, 54 shoferë në hetim për parkim të gabuar

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës bëri një bilanc të kontrolleve dhe masave të marra gjatë javës që lamë pas ndaj drejtuesve të mjeteve që cenojnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në rrugë.

Sipas policisë “54 shtetas janë proceduar penalisht, për parkim të gabuar në rrugë dhe korsi të dedikuara për emergjencat, biçikletat, këmbësorët dhe transportin publik; 39 shtetas janë arrestuar/proceduar për vepra të ndryshme penale; 65 automjete janë bllokuar dhe tërhequr me mjet ngritës”.

Sakaq drejtuesi i një automjeti në qytetin e Vlorës është gjobitur me 40 000 mijë lekë nga Policia Rrugore e Vlorës, pasi kreu manovra të rrezikshme duke parakaluar mbi trafikndarëse, në zonën e Lungomares.

Sipas policisë, nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi E. B., ka kryer parakalim të gabuar mbi trafikndarëse dhe nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë.

“Për këto shkelje, ndaj tij u vendos masa administrative me gjobë 40 000 lekë”, njoftoi policia.

Gjithashtu edhe në Lezhë, Policia Rrugore gjobiti drejtuesin e një mjeti me 12 000 lekë pasi kreu parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor Lezhë-Mabë.

“Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, në të cilën shfaqet një automjet që kryen parakalim të rrezikshëm, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit. Nga verifikimet e kryera, u identifikua drejtuesi, njëkohësisht pronari i automjetit, shtetasi Gj. P., banues në Shkodër”, njoftoi policia.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›