E Martë, 3 Nëntor 2026

GAZA – Njëqind e tetëdhjetë kamionë të tjerë me ndihma hynë në zonë

TEL AVIV, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Sipas autoriteteve izraelite, edhe 180 kamionë që transportonin ndihma humanitare hynë sot në Rripin e Gazës, pasi Izraeli filloi të lejojë më shumë furnizime bazë në këtë territor palestinez të izoluar që nga një ditë më parë.

“Njëqind e tetëdhjetë kamionë të tjerë kanë hyrë në Gaza dhe tani po presin të mblidhen dhe të shpërndahen”, shkroi në platformën X COGAT, autoriteti ushtarak izraelit përgjegjës për aprovimin dhe koordinimin e ndihmave.

Kjo pason hyrjen e 120 kamionëve në Rripin e Gazës të dielën, sipas COGAT-it, që tha se mjetet “u mblodhën dhe u shpërndanë dje nga OKB-ja dhe organizata ndërkombëtare”.

Këto dërgesa janë tepër të nevojshme për popullsinë civile palestineze të Gazës, për të cilën organizatat humanitare thonë se po përballet me nivele të paprecedenta urie për shkak të ofensivës së vazhdueshme ushtarake izraelite në këtë zonë.

Koordinatori i emergjencave i OKB-së, Tom Fletcher, i tha BBC-së se “një sasi e konsiderueshme ushqimi” hyri dje në Gaza, por shtoi se “shumica e tyre u plaçkit”.

Duke përshëndetur ndihmën e re që po mbërrin, ai tha se dërgesat janë vetëm një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat reale, duke theksuar se ditët në vijim janë vendimtare për mirëqenien e gazianëve.

Ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lejuar më shumë ndihma po rritet, ushtria izraelite njoftoi dje se do të vëzhgojë një “pauzë taktike ditore të vetëdeklaruar të veprimeve ushtarake për qëllime humanitare” në disa zona të Gazës nga ora 10:00 deri në 20:00 (07:00–17:00 GMT), deri në një njoftim të dytë.

Pauza do të zbatohet në zonën al-Mawasi në jugperëndim të rripit bregdetar, në Deir al-Balah në qendër dhe në qytetin e Gazës në veri, zona këto ku ushtria izraelite aktualisht nuk po vepron, sipas saj. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›