Tiranë, sekuestrohen 811 gramë kokainë në Fresk, arrestohet 51-vjeçari

Një tjetër goditje ndaj trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është regjistruar në Tiranë, ku Policia ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Zonat”, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine dhe arrestuar poseduesin e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, vunë në pranga 51-vjeçarin Ferdinad Balla, i dyshuar për përfshirje në veprimtarinë e furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta në kryeqytet.
Arrestimi u krye në një lokal në zonën e Freskut, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar hetimore. Gjatë kontrollit të çantës që mbante me vete, policia gjeti dhe sekuestroi 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se sasia e sekuestruar ishte destinuar për t’u shpërndarë në doza në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Operacioni “Zonat” vjen vetëm një ditë pas fazës së parë të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë kokainë dhe u arrestua poseduesi i saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar të shpërndarjes së drogës në kryeqytet.