Tjetër dështim në Kuvendin e Kosovës, mungon kuorumi për votimin e fshehtë

PRISHTINË, 27 maj /ATSH/ Përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish këtë të martë, pas dështimit për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
As në tentativën e radhës, koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. Në përpjekjen e njëzet e dytë për konstituim të legjislaturës së nëntë, partitë e deritanishme opozitare sërish nuk e mbështetën propozimin e LVV-së për votim të fshehtë. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 29 maj, në orën 11:00.
Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit votuan 54 deputetë, një votë kundër dhe asnjë abstenim. Në sallën plenare ishin të pranishëm 109 deputetë.
Para vazhdimit të seancës, e cila nisi në orën 11:00, Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Avni Dehari tha se zgjidhja varet nga krerët e partive politike.
Në seancat paraprake, nuk po arrihet kuorumi për vendimmarrjen mbi ngritjen e komisionit për votimin e fshehtë. Propozimi – për disa herë me radhë – i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, është propozuar edhe që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë.
Kreu i LVV, Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë më herët se ngërçi institucional zgjidhet me votim të fshehtë dhe për mungesën e këtij votimi, ai akuzon opozitën.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se fajtori kryesor i ngërçit politik është Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, kjo parti politike zgjidhjen po e kërkon me joshje, për çka shtoi se” kërkesa individuale ndaj deputetëve është e pandershme”.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.
Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.
Vetë shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, më 22 maj, u bëri thirrje politikanëve që janë në Kuvend që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar situatën.
/Kosovapress/