Raketa e tretë drejt Turqisë, NATO: Aleanca gati të mbrohet nga çdo kërcënim

“NATO është gati të mbrohet nga çdo kërcënim që vjen nga të gjitha drejtimet”.
Kështu deklaron Aleanca pasi një tjetër raketë e lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u neutralizua nga NATO.
Në një deklaratë me shkrim për Anadolu, NATO thotë se: “NATO vazhdon të jetë gati të mbrohet nga çdo kërcënim nga çdo drejtim”.
Detajet operacionale nuk mund të ndahen, thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se “do të vazhdojmë ta përshtatim sistemin tonë të mbrojtjes ndaj raketave balistike sipas kërcënimeve në zhvillim”.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, më herët tha se, municionet balistike të lëshuara nga Irani në hapësirën ajrore turke u neutralizuan nga NATO, përmes forcave të vendosura në Mesdheun Lindor.
“Të gjitha masat e nevojshme po ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë. Po zhvillohen konsultime me vendin përkatës për të sqaruar të gjitha aspektet e incidentit. Të gjitha zhvillimet në rajon po monitorohen dhe vlerësohen nga afër, duke pasur si përparësi kryesore sigurinë kombëtare”, thuhej në një deklaratë të ministrisë turke të mbrojtjes.
Inkursione të ngjashme të mundshme u shënuan edhe më 4 dhe 9 mars, ku në të dyja rastet u neutralizuan gjithashtu nga elementët e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s.
Turqia iu bashkua NATO-s në vitin 1952, pjesë e zgjerimit të parë të aleancës së pasluftës.