Tjetër tragjedi në sport/ Kanceri në mëlçi i merr jetën ish-futbollistit

Futbolli belg është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit Toni Brogno, i cili ka ndërruar jetë këtë të martë, më 3 nëntor, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje me kancerin e mëlçisë. Lajmi është bërë i ditur nga vajza e tij, Olivia Brogno.
Brogno ishte një emër i njohur i futbollit belg, ku spikati veçanërisht me fanellën e Westerlo-s. Ai arriti kulmin e karrierës gjatë sezonit 1999-2000, kur shënoi 30 gola në kampionat dhe u shpall golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit belg.
Gjatë karrierës së tij, ish-sulmuesi luajti edhe për Sporting Charleroi, Olympic Charleroi dhe Oud-Heverlee Leuven, ndërsa provoi futbollin francez me skuadrën e Sedan. Me paraqitjet dhe golat e tij, ai la gjurmë në disa prej klubeve ku u aktivizua.
Brogno përfaqësoi gjithashtu kombëtaren belge, me të cilën regjistroi shtatë ndeshje. Pavarësisht sezonit të jashtëzakonshëm me Westerlo-n, ai nuk u përfshi në listën përfundimtare të Belgjikës për Kampionatin Evropian të vitit 2000, që u organizua nga Belgjika dhe Holanda.
Reklamë
I diagnostikuar me kancer të mëlçisë në fund të vitit 2024, Brogno u përball me një sëmundje të rëndë gjatë viteve të fundit të jetës. Gjendja e tij u përkeqësua muajt e fundit dhe, pas komplikacioneve shëndetësore, ai ishte kaluar në kujdes paliativ.
Lajmi i vdekjes së tij ka prekur komunitetin e futbollit belg, që humbet një ish-golashënues të spikatur dhe një futbollist që la gjurmë, veçanërisht në historinë e Westerlo-s.