Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, pse është kaq i rëndësishëm Kongresi

Zgjedhjet e sotme në SHBA përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e Kongresit. Por çfarë është Kongresi amerikan dhe përse kontrolli mbi të ka kaq shumë rëndësi?
Kongresi është institucioni i pushtetit qendror amerikan që propozon, shqyrton dhe ndryshon ligjet. Ai përbën degën legjislative të qeverisjes dhe është i ndarë në dy dhoma, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.
Në parim, të dyja dhomat duhet të bashkëpunojnë për miratimin e legjislacionit, pasi asnjë projektligj nuk mund të kthehet në ligj pa miratimin e të dyjave.
Megjithatë, në kushtet e polarizimit gjithnjë e më të madh të politikës amerikane, kur dy dhomat kontrollohen nga parti të ndryshme, një situatë e njohur si Kongres i ndarë (split Congress), shpesh krijohen bllokime politike dhe vështirësi në miratimin e ligjeve.
Reklamë
Të dyja dhomat e Kongresit janë të vendosura në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington.
Dhoma e Përfaqësuesve
Dhoma e Përfaqësuesve përbëhet nga 435 anëtarë, të cilët zgjidhen për mandate dyvjeçare.
Numri i përfaqësuesve që dërgon secili shtet përcaktohet në bazë të popullsisë së tij, megjithatë çdo shtet ka të drejtë të ketë të paktën një përfaqësues.
Për t’u zgjedhur në këtë dhomë, kandidati duhet të jetë të paktën 25 vjeç, të ketë qenë shtetas amerikan për të paktën shtatë vjet dhe të jetë banor i shtetit që synon të përfaqësojë.
Senati
Senati përbëhet nga 100 anëtarë, dy për secilin prej 50 shteteve amerikane. Senatorët zgjidhen për mandate gjashtëvjeçare.
Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, zgjedhjet për Senatin zhvillohen në mënyrë të pjesshme, çdo dy vjet votohet për rreth një të tretën e vendeve të tij.
Për t’u zgjedhur senator, kandidati duhet të jetë të paktën 30 vjeç, të ketë qenë shtetas amerikan për të paktën nëntë vjet dhe të jetë banor i shtetit që do të përfaqësojë.
Në zgjedhjet e kësaj nate do të zhvillohen edhe dy zgjedhje të posaçme për Senatin, për të përcaktuar se kush do të përfundojë mandatet e mbetura në vendet e lëna bosh në shtetet që përfaqësonin JD Vance dhe Marco Rubio.