Tomini: Kontroll i plotë i zinxhirit të furnizimit me duhan përmes protokollit ndërkombëtar

TIRANË, 21 janar /ATSH/Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Eugena Tomini, deklaroi se projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit” është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.
E pranishme në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, gjatë diskutimit të pr/ligjit, Tomini tha se, “protokolli synon të sigurojë kontroll të plotë të zinxhirit të furnizimit me produkte duhani, duke krijuar një regjistër global të gjurmimit dhe ndjekjes, që përfshin sisteme kombëtare dhe rajonale, si dhe një pikë globale shkëmbimi informacioni pranë sekretariatit të Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC)”.
Sipas saj, projektligji parashikon gjithashtu masa për licencimin, mbajtjen e të dhënave, kontrolle parandaluese dhe të sigurisë, si dhe rregulla për shitjet online, zonat e lira dhe transitin ndërkombëtar.
“Ai përfshin dispozita penale për shkelësit, ndjekje ligjore, sanksione, sekuestrime, asgjësimin e produkteve të paligjshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar në shkëmbimin e informacionit, ndihmë juridike dhe ekstradim”, u shpreh ajo.
Zv/ministrja Tomini theksoi se ky protokoll plotëson Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe ofron një mjet gjithëpërfshirës për luftën kundër tregtisë së paligjshme, duke forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe sigurinë ligjore të tregut të produkteve të duhanit.
e.xh/