“Tourism Fair Albania”, promovim i ofertës turistike

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Panairi “Tourism Fair Albania” i çelur dje në Tiranë, ka në qendër rëndësinë e eventeve që bashkojnë institucionet publike, sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë për të forcuar bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Panairi mirëpret 141 ekspozues, 40 blerës ndërkombëtarë nga e gjithë bota, përfshirë tregje me potencial të lartë si SHBA, Kanada, Japoni, Kinë dhe Tajlandë, si dhe tregje kyçe europiane si Anglia, Gjermania, Irlanda dhe Franca,17 panele diskutimi, 70 folës dhe ekspertë, 813 takime biznesi në platformën digjitale b2balkan.
I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ftoi të zbulohet Shqipëria turistike në këtë panair i cili është një platformë e rëndësishme bashkëpunimi e mbështetur nga MTKS.
“Në një kohë kur Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik gjithëvjetor, me mbi 12 milionë vizitorë të huaj në vitin 2025, iniciativa të tilla luajnë një rol kyç në promovimin e ofertës turistike, forcimin e markës kombëtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit në nivel ndërkombëtar”, u shpreh Gonxhja.
Ai ftoi profesionistët e sektorit, partnerët dhe të gjithë vizitorët e interesuar të njihen nga afër me ofertën turistike të Shqipërisë, duke përfshirë destinacionet kryesore, pasurinë kulturore e historike dhe potencialin për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit.
Një nga stendat e rëndësishme të panairit është dhe ajo e Bashkisë Elbasan, e cila sjell më pranë vizitorëve pasurinë e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe natyrore të një prej qyteteve më me traditë të Shqipërisë.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, në fjalën e tij theksoi se me krenari Elbasani prezanton vlerat e tij të spikatura, nga Kalaja – simbol e qytetërimit ndër shekuj, rrugicat karakteristike, trashëgimia e arsimit dhe e zejtarisë, deri te peizazhet mbresëlënëse të Funarit, Gjinarit e Shpatit.
Tradita e mikpritjes dhe tryeza e pasur e bëjnë Elbasanin një destinacion të dashur për çdo vizitor vendas e të huaj.
Sipas kryebashkiakut, investimet e bashkisë në rigjallërimin e qendrës historike, krijimin e hapësirave të gjelbra, promovimin e turizmit natyror dhe mbështetjen e sipërmarrjeve lokale po e kthejnë Elbasanin në një destinacion turistik gjithëvjetor.
Në kuadër të Forumit të Bashkive, përfaqësuesit vendorë do të ndajnë eksperiencat mbi turizmin gjithëvjetor, marketingun strategjik dhe mënyrat për ta bërë Shqipërinë një destinacion edhe më konkurrues.
/j.p/r.e/