E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafik me armë zjarri nga Kosova në Tiranë, katër të arrestuar

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Një grup kriminal i cili shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara nga Kosova, është goditur nga policia e Tiranës.

Policia bëri të ditur se pas një hetimi dymujor u finalizua operacioni “Lockdown”. Sipas policisë “në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardjan Caushi, banues në Tiranë”.

“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë”, njoftoi policia.

Gjatë kontrollit në ambientit e përshtatur, banesave të tyre,  policia sekuestroi 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›